Prishtinë, 12 gusht: Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, një ngjarje e veçantë u organizua sot në Prishtinë, me pjesëmarrjen e Presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, Kryetarit të Komunës së Prishtinës Perparim Rama, Nënkryetarit të Komunës së Graçanicës Leutrim Ajeti, përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Shefes së Zyrës së Erasmus+ Mimika Dobroshi, dhe përfaqësuesve të organizatave të tjera ndërkombëtare dhe lokale.
Kjo ditë e rëndësishme u shënua me ndarjen e 7 bursave për vajzat e reja, të cilat u akorduan nga Kolegji AAB. Bursat janë një hap i rëndësishëm në mbështetjen e vajzave për të ndjekur arsimimin e lartë dhe për të avancuar në karrierat e tyre të ardhshme. Përveç mbështetjes për arsimimin e lartë, Kolegji AAB njoftoi themelimin e një ekipi futbolli, të përbërë nga vajzat bursiste. Ky ekip do të përfaqësojë kolegjin në ligën e universiteteve, duke ofruar një platformë të re për zhvillimin e talentit dhe fuqizimin e grave të reja në sport.
Kjo nismë pasqyron angazhimin e palëkundur për të fuqizuar vajzat dhe për t’u dhënë mundësi të barabarta për edukim dhe zhvillim profesional krahas futbollit.
Në kuadër të këtij aktiviteti, u theksua gjithashtu bashkëpunimi i KFV “Prishtina”me gratë ndërmarrëse përmes Ligjit të Sponsorizimit. Ky bashkëpunim u realizua me ndihmën e Grand Events, një partner kyç në mbështetjen e grave ndërmarrëse dhe iniciativave të tyre në Kosovë.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i shënimit të kësaj dite ishte njoftimi për bashkëpunimin me Federata e Sportit Shkollor të Republikës së Kosovës. Ky bashkëpunim do të mundësojë organizimin e stërvitjeve falas për nxënësit nëpër shkolla, duke inkurajuar një pjesëmarrje më të gjerë dhe aktive të të rinjve në sport.
Një moment i veçantë i ngjarjes ishte prania e musafires speciale, Vera Ora, e cila në një bashkëbisedim të ngrohtë me vajzat e reja ndau mesazhe jashtëzakonisht frymëzuese për sportistet tona. Përvoja dhe këshillat e saj kanë shërbyer si një burim motivimi për të gjitha të pranishmet, duke theksuar rëndësinë e sportit dhe edukimit në formimin e karakterit të fortë dhe të suksesshëm.
Gjatë fjalimeve të mbajtura nga liderët e pranishëm, u theksua rëndësia e investimit në të rinjtë dhe në arsimimin e tyre, si dhe roli i grave në ndërtimin e një shoqërie më të barabartë dhe të drejtë.
Presidentja dhe Kryetarët e Komunave të Prishtinës dhe Graçanicës vlerësuan rëndësinë e edukimit dhe mbështetjes së rinisë në proceset vendimmarrëse.
UN Kosovo Team dhe Kosovo Erasmus+ Office konfirmuan përkushtimin e tyre për të mbështetur projektet që synojnë përmirësimin e jetës së të rinjve dhe integrimin e tyre në programet e tyre, përmes mundësive të shumta arsimore dhe kulturore.
Ngjarja përfundoi me një mesazh frymëzues për të gjithë të rinjtë e Kosovës: “Të rinjtë janë fuqia dhe e ardhmja e vendit tonë. Sot dhe çdo ditë, ne do të qëndrojmë të bashkuar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë.”