11 Korrik 2024 – Me kënaqësi ju njoftojmë se Altuna Hyseni, portierja e jashtëzakonshme nga ekipi i Milloshevës, sot zyrtarisht i është bashkuar ekipit të Kryeqyteti Prishtina me gjeneratën e vajzave U17.
Altuna është një yll në rritje, një portiere me perspektivë të ndritur dhe me një përkushtim të veçantë ndaj lojës. Ajo është tashmë pjesë e kombëtares U17 vajzave të Kosovës.
Në Festivalin Ndërkombëtar të Futbollit të Vajzave, Altuna shkëlqeu me kapjet e saj të jashtëzakonshme, veçanërisht në ndeshjen kundër ekipit të Inter Milanit. Aftësitë dhe refleksët e saj të pabesueshme bëjnë të brohorisim me zemren plot entuziazëm.

 

11 Korrik 2024 – Me shumë dashuri dhe zemrën plot, i urojmë mirëseardhje Elva Bahtirit, një mesfushore e jashtëzakonshme, e cila vjen nga një ekip tjetër i Kryeqytetit dhe ka vendosur të bashkohet me KFV Prishtina për të vazhduar rrugëtimin e saj drejt majave të futbollit profesional. Këtë vit, Elva ka një mundësi të shkëlqyer për të garuar edhe në Ligën e Parë me ekipin e senioreve!
Nën patronation e Presidencës së Kosovës, në udhëheqjen e Kryetrajneres Suada Jashari dhe Altin Imeri, Elva do të zhvillohet përmes planprogramit që do perfeksionojë teknikat dhe performancën e saj në fushë!

 

 

14 Korrik 2024 – Jemi jashtëzakonisht të emocionuar të shpallim transferimin e superlojtares së kombëtares së vajzave U17, tashmë në kombëtaren U19, dhe kapitenes së KFF Ferizaj, Ramize Orana në KFV Prishtina!
Pas një sezoni të jashtëzakonshëm me ekipin e KFF Ferizaj, Ramizja ka zgjedhur të bashkohet me ekipin e kryeqytetit dhe ne nuk mund të ishim më krenarë. Ky transferim është dëshmi e punës së palodhshme, përkushtimit dhe talentit të jashtëzakonshëm që ajo sjell në fushë.
Falënderojmë jashtëmase Festinen, themeluesen dhe trajneren e ekipit të KFF Ferizaj për trajnimin e Ramizes dhe i dëshirojmë suksese me vajzat U17 në stinorin e ri.

 

 

16 Korrik 2024 – Jemi krenare të shpallim ardhjen e një ylli të Superligës, mesfushoren dhe golashënueses më të mirë të Kombëtares U17 e tashmë U19, Sahare Berishën!
Me një vizion të qartë për ta çuar ekipin e vajzave të Prishtinës në Superligë, Sahare sjell me vete energjinë e fitoreve dhe trofeve.
KFV Prishtina është kujdesur që të mirëpresë Saharen në një ambient të ngrohtë dhe miqësor me Presidenten Vjosa Osmani. Duke qenë nën patronatin e presidentes, mbështetja dhe dashuria e Presidentes Osmani nuk mungoi në këtë ditë të veçantë për ne.
Jemi të lumtura që këtë moment e ndamë me personin që na mbështet në secilin hap të zhvillimit tonë. Sahare, mirë se erdhe në familjen tonë të madhe! Së bashku drejt sukseseve të reja!

 

 

2 Gusht 2024 – Jemi të lumtura dhe të nderuara të mirëpresim Liza Hoxhën, mesfushoren e talentuar të kombëtares U-17, në ekipin tonë.
Liza ka dëshmuar një aftësi të jashtëzakonshme në fushë dhe një përkushtim të palëkundur ndaj lojës.
Pasioni dhe përkushtimi i saj janë një shembull për të gjithë ne. Jemi të sigurt se nën menaxhimin e Kryetrajneres tonë Suada Jashari , Liza Hoxha do të sjellë energji të re dhe do të forcojë skuadrën tonë edhe më shumë.Le ti urojmë të gjithë Lizës një mirëseardhje të ngrohtë dhe suksese të shumta në rrugëtimin e saj si Futbolliste Profesioniste në skuadrën tone.

 

 

3 Gusht 2024 – Me krenari dhe entuziazëm të pakrahasueshëm, njoftojmë se Bardha Gjonbalaj, mesfushorja brilante e kombëtares U19 dhe lojtare e Ekipit A të kombëtares së vajzave, ka zgjedhur t’i bashkohet klubit tonë! Bardha është lojtarja e parë nga Kombëtarja A që na nderon me praninë e saj, duke vendosur një standard të ri për gjithë ekipin tonë.
Bardha është një pasqyrë e shkëlqimit dhe përkushtimit në futboll. Ajo përfaqëson një model frymëzues për të gjitha vajzat tona, nga bambinat e vogla që sapo kanë nisur të ndjekin pasionin e tyre, deri tek lojtarët më të avancuar të ekipit tonë. Me çdo hap të saj në fushë, Bardha sjell energji, talent dhe një përkushtim të pakufi që tërheq vëmendjen dhe admirimin e të gjithëve.

 

 

26 Gusht 2024 – Me krenari njoftojmë se Alba Shabani, ylli i kombëtares A dhe U19, nga sot është pjesë e KFV Prishtina! Kjo lëvizje e shumëpritur sjell jo vetëm një lojtare të jashtëzakonshme, por edhe një energji të re dhe të freskët për ekipin tonë.
Alba Shabani është një nga sulmueset më të dalluara të futbollit të vajzave në Kosovë.
Me shpejtësinë, teknikën e saj të jashtëzakonshme dhe instinktin e fortë për të shënuar, Alba është një fuqi e pakontestueshme në fushën e lojës. Ajo sjell me vete përvojën dhe lidershipin që ka ndërtuar si pjesë e kombëtares A dhe U19, duke u bërë një aseti çmuar për skuadrën tonë.
Por ky transferim është edhe më special, sepse Alba do t’i bashkohet motrës së saj, Antigone Shabani, e cila iu bashkua KFV Prishtina vitin e kaluar. Kjo dyshe motrash do të sjellë një sinergji të re dhe të fuqishme në skuadrën tonë, duke na dhënë një avantazh të jashtëzakonshëm në sulm.