📆Me krenari ju njoftojmë se të mërkurën, më 21 gusht, në orën 18:00, në stadiumin legjendar të Hajdukut në Split, vajzat e Klubit Futbollistik të Vajzave Prishtina do të zhvillojnë një ndeshje miqësore ndërkombëtare kundër HNK Hajduk.
🏟️Kjo ndeshje, e cila do të zhvillohet nën patronatin e Presidentes Vjosa Osmani dhe në kuadër të projektit tonë me UEFA Foundation for Children, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të vajzave përmes sportit.
🇭🇷Nën kujdesin e veçantë të Komitetit Olimpik të Kroacisë, zyres për mardhënie me jashtë, vajzat e KFV Prishtina do të kalojnë një fazë përgatitore intensive në Split, ku do të stërviten dhe do të kenë mundësinë të forcojnë lidhjet me bashkëmoshataret e tyre kroate.
Jemi gjithashtu të impresionuar nga përkushtimi i HNK Hajduk tek ekipi i vajzave, ku po thyen të gjitha barrierat gjinore dhe po promovon një qasje të barabartë ndaj futbollit për vajzat dhe djemtë.
KFV Prishtina është e frymëzuar nga shembulli i këtij klubi të shquar, dhe ne synojmë të ndjekim modelet më të mira që mbështesin vajzat po aq sa djemtë, duke krijuar një mjedis ku të gjithë sportistët kanë mundësi të barabarta për të arritur sukses. Përtej garës sportive, ky udhëtim përfaqëson një moment kyç në rrugëtimin e vajzave tona drejt përmbushjes së qëllimeve të tyre në fushën e futbollit dhe në jetë.
🤝Bashkëpunimi me një klub si HNK Hajduk dhe mbështetja e organizatave prestigjioze si UEFA Foundation dhe Komiteti Olimpik i Kroacisë dëshmon përkushtimin tonë të palëkundur ndaj zhvillimit dhe fuqizimit të vajzave përmes sportit.
Ju ftojmë të na ndiqni dhe të mbështesni vajzat tona në këtë udhëtim të jashtëzakonshëm!