KFV Prishtina vazhdon fazën përgatitore me paraqitje mbresëlënëse, duke treguar forcën dhe cilësinë e saj në dy ndeshje miqësore ndaj FK Budućnost, kampioneve të Superligës së Malit të Zi. Ekipi i senioreve triumfoi me rezultat 3-1, ndërsa skuadra U17, ku u aktivizuan 24 vajza, e mbylli sfidën me një barazim të luftuar 1-1.
SENIORET E PRISHTINËS TREGUAN KLASIN: FITORE 3-1! Në një përballje të fuqishme, Alba Shabani shkëlqeu me një dopietë fantastike, duke dëshmuar edhe një herë cilësitë e saj si një sulmuese e rrezikshme . Golin e tretë për KFV Prishtina e realizoi Sahare Berisha nga pika e penalltisë, duke vulosur fitoren e merituar të skuadrës. Budućnost u përpoq të kthehej në lojë, por disiplina taktike dhe shpirt luftarak i vajzave të Prishtinës bënë diferencën. Me këtë fitore, ekipi konfirmon gatishmërinë për sfidat e ardhshme, duke dërguar një mesazh të qartë për rivalët në sezonin e ri.
U17 LUFTON DERI NË FUND – NXJERR NJË BARAZIM 1-1! Talentet e reja U13, U15 dhe U17 në KFV Prishtina shkëlqyen në përballjen e dytë të ditës, ku zhvilluan një lojë të fortë ndaj bashkëmoshatareve të Budućnostit. Pas një loje dinamike, skuadra nga Mali i Zi kaloi në epërsi, por supervajzat e Prishtinës nuk u dorëzuan. Me një presion të vazhdueshëm, Prishtina gjeti golin e barazimit, duke siguruar një rezultat të merituar. Aktivizimi i 24 lojtareve në këtë sfidë tregon thellësinë dhe potencialin e ekipit të Prishtinës për të ndërtuar një të ardhme të ndritur.
KFV PRISHTINA – E GATSHME PËR TË SHKRUAR HISTORI! Këto dy ndeshje miqësore janë një tjetër dëshmi e vizionit dhe punës së palodhshme të KFV Prishtina për të ngritur nivelin e futbollit të vajzave në rajon. Ne menaxhimin e Kryetrajneres Suada Jashari dhe Altin Imeri tek U17, KFV Prishtina po tregon se është gati për sezonin e ri dhe sfidat e mëdha që e presin!
Fuqizojmë vajzat, ndërtojmë kampione!